Kudo që dashurohet arti i mjekësisë, ekziston edhe dashuria për njerëzimin—Sokrati
Momenti sublim rrodhi fluidhshëm. I ulur në një kënd të qetë të studios, nën dritën e zbehtë të një qiriu të artë, ai ndjeu ti hapej syri i tretë, një portë që vetëm të përndriturit dijnë ta hapin. Një dritëz e purpurt vezulloi në pupilat e përqendruara në një pikë të vetme të universit. Forca e mendjes vazhdoi ta ndriçonte e ta zgjeronte atë gjendje, derisa pesha e trupit humbi në eter. Në atë moment shtëpirti i foli me gjuhën e vet, duke imagjinuar dëshirën e t’ij më të madhe, atë dëshirë, që në këtë realitet nuk ishte bërë kurrë e mundur. Ai manifestoi dëshirën e tij të përjetshme, të kishte zemrën dhe shtëpirtin e saj në një tjetër jetë, në rimishërimin e radhës. Energjia vibroi aq fuqishëm, aq sa ai e përjetoi tashmë atë bashkim, me bindjen se kjo ngjarje do të ndodhte patjetër.
KAPITULLI I
Kujtimet e moshës së rinisë në atë qytet të vogël por të gjallë nuk do t’i veniteshin kurrë Montit. Historia nisi pikërisht aty tek ajo shkallë e gjerë e qytetit, ku tentativa e tij e parë për të shprehur dashurinë u kthye në një dramë, kur ai sapo kishte mbushur 16 vjec. E gjitha kjo ndodhi në një ditë të bukur vjeshte. Kurrë se kishte menduar të shkonte aq keq, duke shpresuar se ajo çapkënja do ta kuptonte dhe ta pranonte t’i përgjigjej letrës së tij.
Akoma i kujtohen të gjalla emocionet e asaj dite pa fat. Frymëmarrja i qe bërë e rënduar dhe penguese aq sa ai mezi arriti t’i pëshpërisë asaj me fjalët: “kam një letër për ty”. Por nuk kishte guxuar t’i thoshte, se çfarë ajo përmbante. Sa e sa herë e kishte shkruar dhe grisur atë copë letre dhe ja më në fund ajo u shfaq duke ecur me shpejtësinë e një drenushe. Alin e hutuar zgjati dorën e saj të njomë e të brishtë duke e marrë atë letër, pa e kuptuar as vetë qëllimin e saj, sigurisht, me dëshirën dhe kuriozitetin për të ditur se çfarë shkruhej aty brenda. Ajo i rrëshqiti momentit duke ikur me shpejtësi pa e zgjatur më shumë bisedën.
Një pasiguri e tmerrshme e kishte kapluar Montin dhe dyshime të shumta i sulmonin tërë qenien. “A mos vallë nuk duhej t’ia jepte menjëherë? A mos do të ishte më mirë t’ia thoshte me gojë çfarë ndjente për të? Tek e fundit, ajo ndaloi dhe do ta kishte dëgjuar.” Kthimi i tij rrugës për në shtëpi qe shumë i vështirë. Trupi nuk mbante dot ekuilibrin dhe këmbët ecnin kuturu. Frymëmarrja po i vështirësohej edhe më shumë se më parë dhe duart po i mpiheshin. Skenarë të shumtë imagjinativë vërtiteshin në mendjen e tij të rënduar nga reagimi emocional. Siç do ta kuptonte edhe vetë pas disa vitesh, e gjithë ajo pasiguri dhe ai negativitet po tërhiqnin ngjarje po aq negative. Nuk kaloi as një ditë kur nëna e tij u fut në shtëpi e tronditur, duke ia tundur letrën para syve.
— Ç’është ky turp, mor djalë? Na e more fytyrën si familje! Si nuk ke turp dhe guxon t’i shkruash një vajze që është ende fëmijë? Nuk e di si do t’u dalim më para atyre njerëzve që aq shumë na kanë respektuar! — qenë fjalët e saj, pa pritur asnjë shpjegim nga ana e tij. Ajo kishte qënë shumë e prekur dhe e zemëruar, sa asnjëhërë më parë. Monti se kishte parë kurrë në atë gjendje. Nuk i foli për ditë të tëra dhe kjo e mërziti edhe më shumë Montin, i cili nuk arrinte të fliste me të. Kjo ngjarje e kishte bërë Montin të ndihej si struci, aq sa nuk dinte ku ta fshihte kokën nga turpi. Filloi të dyshonte se ndoshta nuk ishte aq i pashëm për të. Filloi ta vështronte vazhdimisht fytyrën në pasqyrë; herë i dukej e mjerë dhe antipatike, e herë shumë e zbehtë dhe pa jetë.
I plagosur deri në palcë u betua se nuk do të dashuronte kurrë më një vajzë. Ndjehej i humbur, i dështuar dhe i padëshiruar. Skenarë makabre i shfaqeshin në mendjen e tij të sëmurë nga trishtimi. Imagjinonte sikur kishte vdekur dhe mbi arkivolin e tij qanin dhe pendoheshin të gjithë, duke përfshirë dhe Alin, e cila pa menduar për pasojat i kishte dhënë letrën menjëherë nënës së saj.
Teksa ditët kalonin, plaga e refuzimit sa vinte e thellohej. Nuk i besohej që kishte qenë pikërisht ai që kishte guxuar t’i propozonte Alinës. Nuk arrinte të kuptonte ku kishte gabuar kaq shumë, kur gjithçka buronte nga dashuria dhe ndjenjat e sinqerta. Ëndrra e vetme e tij ishte të martohej me të dhe të jetonin përgjithmonë të lumtur. Ndjenjat e fajit dhe refuzimit mbetën të kyçura në psikikën e tij, duke krijuar komplekse dhe pengesa të brendshme. Megjithatë, Monti nuk mund ta harronte për asnjë çast ditën kur lindi shkëndija e parë e dashurisë dhe e emocioneve.
Ishte atmosferë festive në qytet dhe një sërë aktivitetesh kulturore po organizoheshin nga dy shkollat e qytetit. Shfaqja ishte planifikuar të jepej në Pallatin e Kulturës, i cili në atë kohë quhej nga shumica e popullsisë “Pallati i Koncerteve”. Monti ishte pikërisht aty, prapa skenës, me emocionet e performancës në grupin e valltarëve të vitit të parë të gjimnazit. Pas shumë ditësh provash, momenti i numrit të radhës më në fund kishte ardhur. Në skenë duhej të performohej një kërcim popullor burrash, i frymëzuar nga baladat dhe trimat e pamposhtur. Provat e valles gjatë dy ditëve të fundit kishin qenë sfilitëse, por tashmë kishte ardhur mbrëmja finale.
Bashkë me emocionet e skenës, duhej të vishej edhe ai dreq kostumi popullor, i cili duhej të qëndronte i kopsitur në mënyrë të përsosur. Vështirësia shtohej te pjesa e fiksimit të tirqve prej shajaku me brezin e leshtë shumëngjyrësh, i cili ishte aq i gjatë sa dukej sikur po i merrte frymën. Frika se brezi do t’i lirohej dhe ndoshta edhe plisi do t’i binte nga koka u shtua aq shumë, sa një zë i brendshëm i thoshte të tërhiqej fare nga vallja. Megjithatë, koreografi, një student praktikant i Fakultetit të Arteve që vinte nga kryeqyteti, e kishte komplimentuar shpesh Montin për performancën e tij artistike dhe aftësinë e tij zhdërvjellëse fizike. Monti iu drejtua atij dhe, me zërin që i dridhej nga ankthi, i tha se ndoshta do të ishte më mirë për grupin që ai të mos dilte fare në skenë. Koreografi, pasi e dëgjoi dhe ia kuptoi nervozizmin duke lexuar gjuhën e trupit të tij, i vuri dorën mbi sup dhe ia drejtoi vëmendjen nga grupi tjetër i valltarëve, ai i vajzave të shkollës tetëvjeçare.
— Shihi ato vajza sa të qeta janë. Për më tepër, kanë një pshtjellak lidhur në fund të vitheve shumë më të parehatshëm se tirqit e tu. Merr shembull prej tyre dhe le t’i tregojmë publikut se ne jemi grupi i burrave dhe nuk kemi frikë nga asgjë.
Grupi i vajzave dukej vërtet i hareshëm. Ato i rregullonin njëra-tjetrës shamitë e kokës, të cilat duheshin kapur me kapëse prej teli në pjesën e pasme të kokës, pranë veshëve. Njëra prej tyre i tërhoqi më shumë vëmendjen Montit. Kostumi i saj popullor kishte ngjyra më të theksuara dhe shamia e kuqe në kokë e bënte të dukej jashtëzakonisht e bukur. Ajo ishte, as më pak e as më shumë, vajza e mikut të familjes së tij, Alina. Asnjëherë nuk e kishte vënë re se ajo tashmë ishte bërë një vajzë e rritur dhe kaq tërheqëse. Veshja tradicionale e kishte bërë të dukej krejt ndryshe. Ndoshta ishte kombinimi i ngjyrave, ndoshta efekti i kujtesës kolektive, ndoshta energjia e saj. Ato kostume të fondit të çmuar të kulturës popullore, të veshura e të stërveshura aq herë nga kaq shumë valltare ndër vite, kishin mbartur dhe vazhdonin të transmetonin vlerat e epokave të kaluara, duke reflektuar mbi vete të gjitha hiret e bukurisë femërore. E gjithë kjo analizë në kokën e tij bëri që ai ta harronte frikën dhe, papritur, zëri i regjisorit kumboi fort:
— Grupi i djemve, gati për skenë!
Muzika e daulles dhe fyellit ishte aq ndikuese për publikun, sa të gjithë ekzaltoheshin dhe lëviznin në vend sipas ritmit të saj. Djemtë u futën në skenë me vrull, duke dhënë përshtypjen sikur po fluturonin. Krahët e tyre të hapur e të ngritur lart si shqiponja, së bashku me lëvizjet ritmike të duarve, ndezën fantazinë e publikut. Vallja e shqiponjave u duartrokit aq shumë, sa kur djemtë ulën njëkohësisht kokën me dorën mbi zemër, në shenjë respekti për publikun, plisi i ra Montit nga koka.
— Ah, dreq! — tha ai me vete. — Ndodhi pikërisht ajo që kisha frikë.
Ata dolën nga skena njëri pas tjetrit, të mbushur me emocionet e admirimit të publikut dhe me ndjenja krenarie. Por, ndryshe nga të tjerët, sytë e Montit ishin në kërkim të siluetës së saj. Për herë të parë, një ndjenjë e ngrohtë i përshkoi tërë trupin. Vetja iu duk sikur kishte marrë një formë tjetër ekzistence. Zemra filloi t’i rrihte aq fort, sa frymëmarrja nuk po e ndiqte më ritmin e saj. Rreshti i vajzave ishte gati të fillonte kërcimin e radhës. Mësuesja e valles u rregullonte detajet e fundit të veshjeve dhe i porosiste:
— Kujdes me hapat! Mbani ritmin të gjitha bashkë dhe ndiqni solisten.
Monti dëgjoi drejtuesen e spektaklit teksa shpalli në mikrofon:
— Në skenë, grupi i vajzave me vallen “Mbledhim gështenjat”.
Për pak sekonda, siluetat e tyre u gjendën përballë tij. Alina me fytyrën flakë nga emocionet e skenës dhe ai me frymëmarrjen e shtrënguar nga emocionet e së panjohurës. Ato shkëmbime shikimesh ekzistonin vetëm për të. Ajo ishte e humbur në rrjedhën e kohës dhe, siç do ta interpretonte Monti më vonë, në atë moment koha ende nuk kishte ndaluar për të. Sa shumë do të donte ta shihte atë kërcim! Të shihte vetëm atë, mbledhësen e magjishme të gështenjave, teksa vallëzonte me hiret e saj. Por jo. Kjo ishte e pamundur. Regjisori nuk lejonte askënd nga grupi të hynte në sallën e madhe të spektatorëve.
Paskena gumëzhinte nga emocionet e artistëve të rinj, të cilët nuk përmbaheshin dot. Kërcenin e hidheshin mbi njëri-tjetrin, përqafoheshin dhe loznin me duar si dema të ekzaltuar. Duartrokitjet e publikut kishin qenë për ta një lloj adrenaline euforike, që ua kishte transformuar gjendjen emocionale deri në ekstazë. Në këtë sinergji emocionesh, Monti ndjehej po aq i emocionuar sa ata, por njëkohësisht edhe i hutuar. Ai jetonte në një realitet tjetër, ku, me sa dukej, koha kishte ndaluar.
Monti ishte fëmija i parë i familjes dhe, si i tillë, mbante mbi supe më shumë përgjegjësi se pjesa tjetër e fëmijëve. Atij i duhej të merrte përsipër detyra dhe role që familja i konsideronte të natyrshme për të parëlindurin. Ai kishte lindur në një kohë kur jetesa kolektive në sistemin komunist ndikonte drejtpërdrejt në formimin e tipareve bazë të personalitetit.
Qyteti i lindjes, megjithëse ai ishte larguar prej vitesh, mbetej një nga territoret me ngarkesën më të fortë psiko-emocionale dhe sociale të jetës së tij. Forca e imagjinatës, e ushqyer nga legjendat dhe eposi i kreshnikëve, vazhdonte ta mbante të lidhur me magnetizmin e atyre trevave, ku edhe sot pjesa më e madhe e ëndrrave të tij duket sikur realizohen aty. Fëmijëria e tij nuk kishte qenë thjesht një jetë e jetuar si e çdo fëmije tjetër, por shuma e disa jetëve të jetuara përmes aventurave dhe sfidave të moshës, ku shpeshherë i ishte vënë në rrezik edhe vetë jeta. Këto sprova në terrene të ndryshme natyrore i shërbyen jo vetëm për të zhvilluar aftësitë fizike dhe mendore, por edhe për t’i skalitur karakterin e fortë.
Qyteti ku ai u lind dhe u rrit shtrihej në zonën më malore të vendit, mes alpeve dhe një terreni të thyer me male, gryka lumenjsh, fusha dhe pyje të larta. Si çdo qytet i ndërtuar gjatë periudhës së socializmit komunist, gjithçka ishte e thjeshtë: struktura solide e të ngurta, ngjyra të zbehta dhe ndërtime të projektuara për të ofruar siguri në rast të një sulmi nga armiku imperialist.
Qyteti nuk kishte më shumë se gjashtëdhjetë apartamente banimi. Disa prej pallateve kishin formën e shkronjës L, me dy hyrje dhe jo më shumë se pesë kate. Shumica ishin ndërtuar me punë vullnetare dhe sipas të njëjtit model arkitektonik, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda, me synimin për të garantuar një jetë modeste, pa salltanete dhe pa hapësira sipas dëshirës individuale. Familjet përshtateshin me këto banesa, të cilat zakonisht kishin vetëm dy dhoma gjumi dhe një tualet. Në një prej tyre jetonte edhe familja e Montit. Ai nuk mund të kishte një dhomë të vetën, pasi ndante të njëjtin ambient me vëllain e vogël, Gimin.
Shtëpia e tyre ishte e thjeshtë, ashtu si shumica e shtëpive të qytetit, me të njëjtat pajisje dhe mobilie. Megjithatë, kishte një veçanti: mobiliet ishin ndërtuar me përmasa të ndryshme nga ato standarde, sepse babai i tij ishte marangoz dhe specialist në prodhimin e mobilieve prej druri. Ajo që do t’i mbetej më fort në kujtesë nga ajo shtëpi ishte biblioteka. Një raft shtesë mbi bufenë klasike, ku në mes qëndronte televizori. Librat e stivosur aty përbënin një pasuri të çmuar për nënën e tij, e cila, si edukatore që ishte, nuk hezitonte të blinte nga një libër të ri në fillim të çdo muaji.
Monti u rrit duke e adhuruar atë bibliotekë dhe duke trashëguar të njëjtën dashuri për leximin si nëna e tij. Blerja e librave ishte një nga kënaqësitë më të mëdha të jetës së tij; për të mos thënë se shpesh shndërrohej në një padurim të ëmbël për të blerë librin e radhës. Libraria e vetme në sheshin kryesor të qytetit ishte një nga oazet ku Monti ushqente padurimin për të blerë libra të rinj. Vitrina ku ekspozoheshin botimet e reja i ngjante vitrinës së ëmbëltoreve aty pranë, dhe librat i dukeshin po aq të ëmbël e të shijshëm sa pastat dhe kekët e pastiçerisë ngjitur.
Për Montin, çdo libër ishte si një ëmbëlsirë e re që, pasi e shijon, të lë një shije të paprovuar më parë. Kopertinat me figura dhe ngjyra të larmishme i zgjonin një padurim të menjëhershëm për t’i hapur e për t’i lexuar. Meqenëse mirëqenia kolektive që propagandonte partia në atë kohë nuk lejonte plotësimin e shumë dëshirave personale, dëshira për të blerë libra të rinj mbeti për Montin një nevojë e papërmbushur. Kjo uri për libra e ndoqi gjatë gjithë jetës së tij.
Librat përfundonin në ndërgjegjen e Montit njësoj si ëmbëlsirat në stomakun e një fëmije të uritur: të përpirë me etje dhe padurim brenda një nate. Ishte e qartë se fantazia e tij nuk kishte nevojë për shumë kohë për të krijuar ngjarje dhe personazhe. Ato merrnin menjëherë formë në mendjen e tij dhe padurimi për të zbuluar fundin e historive e linte shpesh pa gjumë deri vonë natën…vazhdon
Të pëlqeu fragmenti?
Historia vazhdon me shumë kthesa, emocione dhe zbulime.
