Meditimi dhe Mindfulness në shkolla-pse jo edhe në Shqipëri/Kosovë

A është koha që shkollat të mësojnë edhe qetësinë mendore?

Për shumë vite, sistemi arsimor është fokusuar pothuajse tërësisht tek zhvillimi intelektual: matematika, gjuha, shkenca dhe njohuritë akademike. Por bota moderne po përballet me një realitet tjetër të tilla si ankthi, depresioni, shpërqendrimi digjital, stresi social dhe lodhja emocionale, që po ndikojnë gjithnjë e më shumë tek fëmijët dhe adoleshentët. Në këtë realitet të ri, lind një pyetje shumë e rëndësishme:
A duhet shkolla të mësojë vetëm informacion, apo edhe vetëdije emocionale?

Meditimi dhe mindfulness nuk konsiderohen më thjesht praktika alternative apo teknika relaksimi. Prandaj sot ato po studiohen seriozisht nga psikologjia moderne dhe po aplikohen në shumë shkolla europiane si mjete që ndihmojnë mirëqenien emocionale, fokusin dhe marrëdhëniet sociale të nxënësve. Ndoshta edhe Shqipëri dhe Kosovë ka ardhur në një moment ku duhet të mendojë për projekte të tilla në sistemin arsimor.

Çfarë tregojnë studimet në Belgjikë?

Fatmirësisht, studime të realizuara në Belgjikë, nga universitete si KU Leuven dhe Université de Liège, kanë analizuar ndikimin e mindfulness-it tek adoleshentët në shkolla. Rezultatet kanë qenë tepër interesante. Nxënësit që morën pjesë në programe meditimi dhe ndërgjegjësimi emocional raportuan:

  • ulje të stresit dhe ankthit,
  • më pak simptoma depresive,
  • përmirësim të vetëkontrollit emocional,
  • marrëdhënie më të mira me të tjerët,
  • rritje të qetësisë dhe fokusit mendor.

Një nga eksperimentet më të njohura përfshiu qindra nxënës të shkollave të mesme. Pas disa javësh praktikë mindfulness, niveli i simptomave depresive ra ndjeshëm krahasuar me grupin që nuk mori pjesë në program. Ajo që e bën këtë edhe më domethënëse është fakti se efektet pozitive vazhduan edhe muaj pas përfundimit të praktikës. Kjo tregon se meditimi nuk është vetëm një “qetësues momental”, por një mekanizëm që ndihmon trurin dhe emocionet të krijojnë një disiplinë personale, një ekuilibër më të qëndrueshëm.

Klima emocionale në klasë ndryshon

Një nga aspektet më të bukura të mindfulness-it në shkolla është ndikimi në energjinë sociale të klasës. Kur nxënësit mësojnë të ndalen për pak çaste, të marrin frymë me vetëdije dhe të vëzhgojnë emocionet pa reaguar menjëherë, ata fillojnë gradualisht të zhvillojnë:

  • më shumë empati,
  • durim,
  • vetëdije emocionale,
  • aftësi për të dëgjuar tjetrin,
  • kontroll më të mirë të impulsivitetit.

Mësues në shumë shkolla europiane kanë raportuar se klasat u bënë më të qeta, më të balancuara emocionalisht dhe më bashkëpunuese. Në një kohë ku bullizmi, agresiviteti verbal dhe tensionet sociale po shtohen tek të rinjtë, kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse edukimi nuk është vetëm transmetim informacioni por është edhe formim i karakterit dhe vetëdijes njerëzore.

Fokus më i madh dhe performancë më e mirë akademike

Shumë njerëz mendojnë se meditimi lidhet vetëm me relaksimin, por në të vërtetë ai ndikon edhe tek performanca mendore. Kur mendja është e mbushur me stres dhe mbingarkesë emocionale, përqendrimi bie. Truri lodhet më shpejt dhe nxënësi humbet fokusin. Mindfulness ndihmon nxënësit të rikthejnë vëmendjen tek momenti aktual. Ata mësojnë të menaxhojnë shpërqendrimet dhe të zhvillojnë një prani më të qartë mendore. Disa meta-analiza ndërkombëtare kanë treguar përmirësime në:

  • kujtesë,
  • përqendrim,
  • funksione njohëse,
  • menaxhim të stresit gjatë provimeve,
  • rezultate akademike.

Kujdes, kjo nuk do të thotë se meditimi zëvendëson mësimin klasik. Por ai mund të krijojë kushtet mendore që e bëjnë të mësuarin më efektiv.

Mindfulness nuk është “magji”

Shkenca moderne është e kujdesshme edhe në entuziazmin e saj. Jo çdo program meditimi jep rezultate të njëjta dhe disa studime kanë treguar efekte më modeste ose afatshkurtra. Kjo është shumë e rëndësishme të kuptohet. Mindfulness nuk duhet parë si një zgjidhje magjike për të gjitha problemet e edukimit. Efektiviteti varet nga:

  • mënyra si zbatohet programi,
  • trajnimi i mësuesve,
  • klima emocionale e shkollës,
  • vazhdimësia e praktikës,
  • gatishmëria e vetë nxënësve.

Por edhe me këto kufizime, një gjë mbetet e qartë: sistemi arsimor i shekullit XXI nuk mund të fokusohet vetëm tek notat dhe informacioni akademik. Një nxënës mund të dijë formula matematike, por të mos dijë si të menaxhojë ankthin, zemërimin apo vetminë.

Një ide që mund të pilotohet edhe në Shqipëri-Kosovë

Ndoshta Shqipëria apo Kosova nuk kanë nevojë menjëherë për ndryshime të mëdha kombëtare. Por mund të fillojë me projekte pilot në disa shkolla. Për shembull:

  • 5–10 minuta frymëmarrje të vetëdijshme para mësimit,
  • ushtrime të shkurtra qetësimi para provimeve,
  • trajnime mindfulness për mësuesit,
  • klasa mbi inteligjencën emocionale dhe menaxhimin e stresit,
  • aktivitete reflektimi dhe vetëdijeje për adoleshentët.

Këto iniciativa nuk do të zëvendësonin arsimin tradicional. Përkundrazi, do ta plotësonin atë duke krijuar nxënës më të qetë, më të vetëdijshëm dhe emocionalisht më të qëndrueshëm. Në një epokë të mbingarkuar nga teknologjia, presioni social dhe ritmi i shpejtë i jetës, ndoshta një nga gjërat më të rëndësishme që mund t’u mësojmë fëmijëve është të ndalen për pak çaste, të marrin frymë dhe të dëgjojnë veten, sepse ndonjëherë, revolucioni më i madh nuk fillon jashtë nesh… por në qetësinë e mendjes sonë.

Pyetje reflektuese për lexuesin:

Nëse shkollat do të mësonin edhe menaxhimin emocional dhe vetëdijen mendore, si mendoni se do të ndryshonte brezi i ri?

Referenca Shkencore

KU Leuven – Mindfulness at school reduces symptoms of depression among adolescents

PubMed – School-Based Prevention and Reduction of Depression in Adolescents: A Cluster-Randomized

Controlled Trial of a Mindfulness Group Program

ScienceDaily – Mindfulness at school reduces depression-related symptoms in adolescents

KU Leuven – Leuven Mindfulness Centre (YOU MIND Project)

PMC – The effect of universal school-based mindfulness training on adolescents

Lirias KU Leuven – Processes of change in a school-based mindfulness program

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *