Si gjendja e sistemit nervor përcakton realitetin që krijojmë

Manifestimi nuk fillon në mendje, por në trup. Shumë njerëz përpiqen të manifestojnë një jetë më të mirë duke ndryshuar mendimet, duke përsëritur afirmime ose duke vizualizuar dëshirat e tyre. Megjithatë, shpesh harrohet elementi më i rëndësishëm: gjendja e sistemit nervor. Nëse trupi jeton në alarm, mendja nuk mund të besojë plotësisht në siguri. Nëse sistemi nervor ndodhet në mbijetesë, edhe manifestimi bëhet një përpjekje e mbushur me rezistencë.

Këtu hyn në lojë Teoria Polivagale, e cila na ndihmon të kuptojmë se përpara se të ndryshojmë realitetin tonë të jashtëm, duhet të mësojmë të njohim dhe të rregullojmë realitetin e brendshëm të trupit. Në fund të fundit, nuk manifestojmë vetëm atë që mendojmë. Manifestojmë edhe atë që sistemi ynë nervor e konsideron të mundur.

Çfarë është Teoria Polivagale?

Teoria Polivagale, e zhvilluar nga neuroshkencëtari Stephen Porges, shpjegon mënyrën se si sistemi ynë nervor autonom reagon vazhdimisht ndaj botës përreth. Sipas kësaj teorie, trupi nuk zgjedh rastësisht emocionet. Ai vlerëson në çdo moment nëse jemi të sigurt apo në rrezik. Në përgjithësi mund të dallojmë tre gjendje kryesore:

1. Gjendja e sigurisë dhe lidhjes (Ventral Vagal)

Kjo është gjendja ku ndihemi të qetë, të pranishëm dhe emocionalisht të hapur.

Në këtë gjendje:

  • krijojmë marrëdhënie të shëndetshme;
  • mendojmë qartë;
  • marrim vendime me vetëdije;
  • ndihemi krijues;
  • manifestimi rrjedh natyrshëm sepse nuk dominohemi nga frika.

Kjo është gjendja ku energjia jonë nuk harxhohet për mbijetesë, por për krijim.

2. Gjendja e mobilizimit (Lufto ose Ik)

Kur sistemi nervor percepton kërcënim, aktivizohet mekanizmi i mbijetesës. Shfaqen:

  • ankthi;
  • tensioni;
  • hipervigjilenca;
  • mendimet katastrofike;
  • kontrolli i tepërt;
  • vështirësia për të pushuar.

Në këtë gjendje, edhe kur përpiqemi të manifestojmë bollëk apo dashuri, trupi vazhdon të dërgojë një mesazh tjetër:

“Nuk jam i sigurt.”

Universi nuk ka nevojë të na “dënojë”. Mjafton që sistemi ynë nervor të vazhdojë të funksionojë si në emergjencë dhe zgjedhjet tona do të drejtohen nga frika.

3. Gjendja e mbylljes (Ngriva)

Kur stresi bëhet i vazhdueshëm dhe organizmi nuk gjen rrugëdalje, sistemi nervor mund të kalojë në një gjendje fikjeje. Kjo shfaqet si:

  • mungesë motivimi;
  • mpirje emocionale;
  • lodhje kronike;
  • ndjesia se jeta nuk ka kuptim;
  • shkëputje nga vetja.

Edhe kjo është një strategji mbijetese. Trupi nuk po dështon. Ai po përpiqet të na mbrojë.

Ankthi nuk është identitet. Është një gjendje e trupit.

Një nga keqkuptimet më të mëdha të kohës sonë është se e kemi kthyer ankthin në një identitet. Dëgjojmë shpesh:

“Jam njeri me ankth.”

Por ankthi nuk është kush je. Ankthi është një gjendje fiziologjike, një mënyrë se si sistemi nervor po reagon në atë moment.

Pas fjalës “ankth” fshihet një realitet shumë konkret i trupit:

  • frymëmarrje e cekët;
  • muskuj të kontraktuar;
  • ritëm i përshpejtuar i zemrës;
  • vigjilencë e lartë;
  • pamundësi për t’u çlodhur.

Kur e quajmë vetëm “problem psikologjik”, ne shpesh e shkëpusim nga vetëdija mbi trupin tonë. Dhe pikërisht aty fillon cikli i vuajtjes. Sepse përpiqemi të ndryshojmë mendimet, ndërsa trupi vazhdon të jetojë në alarm. Ankthi nuk është normal, edhe në një botë plot sfida. Jetojmë në një kohë me shumë presion, ndryshime dhe pasiguri. Por kjo nuk do të thotë se ankthi duhet të bëhet gjendja jonë bazë.

Normalizimi i ankthit është një nga gabimet më të mëdha kulturore. Po, është normale të përjetojmë ankth në situata të caktuara por nuk është normale të jetojmë çdo ditë sikur jemi në rrezik. Kur sistemi nervor qëndron për muaj ose vite në alarm, trupi paguan çmimin:

  • energjia bie;
  • krijimtaria zvogëlohet;
  • marrëdhëniet dëmtohen;
  • intuita zbehet;
  • manifestimi shndërrohet në një përpjekje të lodhshme.

Qëllimi nuk është të eliminojmë çdo emocion të pakëndshëm. Qëllimi është të mos mbetemi të burgosur në to.

Rezistenca fillon kur refuzojmë paqen brenda vetes

Shumë prej nesh besojnë se rezistenca në manifestim krijohet nga mendimet negative. Në të vërtetë, shpesh ajo lind shumë më thellë. Rezistenca lind kur sistemi nervor nuk ndihet i sigurt për të marrë atë që dëshirojmë. Mund të thuash:

“Jam gati për sukses.”

Por nëse trupi vazhdon të presë dështimin, ai do të reagojë me tension, vetësabotim ose shmangie.

Paqja nuk është luks shpirtëror.Është një gjendje biologjike që lejon sistemin nervor të dalë nga mbijetesa dhe të hyjë në krijim. Sa herë refuzojmë të kultivojmë qetësinë, vazhdojmë të ushqejmë rezistencën që na mban larg potencialit tonë.

Vetëdija mbi sistemin nervor është përgjegjësi personale

Një nga shenjat më të rëndësishme të shëndetit emocional nuk është mungesa e sfidave. Është aftësia për të vëzhguar gjendjen e sistemit tonë nervor dhe për të marrë përgjegjësi për rregullimin e tij. Askush nuk mund ta bëjë këtë në vendin tonë, as partneri, as familja, as mësuesi shpirtëror dhe as teknikat e manifestimit. Vetëdija fillon kur ndalojmë së pyeturi:

“Pse ndihem kështu?”

dhe fillojmë të pyesim:

“Në çfarë gjendjeje ndodhet sistemi im nervor në këtë moment?”

Ky ndryshim i vogël në perspektivë hap derën e transformimit të vërtetë. Sepse kur njohim gjendjen tonë të brendshme, fitojmë mundësinë ta ndryshojmë atë me frymëmarrje të vetëdijshme, lëvizje, pushim, lidhje të shëndetshme dhe praktika që rikthejnë ndjenjën e sigurisë. Ky nuk është një akt dobësie pwrkundrazi eshtë pjekuri emocionale.

Manifestimi është pasojë e koherencës së brendshme

Manifestimi nuk është një teknikë magjike, eshtë shprehja natyrore e një sistemi që ndihet mjaftueshëm i sigurt për të krijuar. Sa më shumë ndërtojmë siguri të brendshme, aq më pak jetojmë nga frika. Sa më pak frikë, aq më pak rezistencë dhe sa më pak rezistencë, aq më shumë rrjedhshmëri. Kur trupi pushon së luftuari me jetën, vetëdija fiton hapësirë për të zgjedhur, për të krijuar dhe për të manifestuar në përputhje me vlerat tona më të larta. Manifestimi nuk fillon kur ndryshon bota. Ai fillon në momentin kur sistemi ynë nervor mëson se është i sigurt të jetojë, të marrë dhe të lulëzojë.

Pyetje për reflektim

Në cilën gjendje kalon pjesën më të madhe të ditës sistemi yt nervor: në siguri, në alarm apo në mbyllje? Dhe si po ndikon kjo në realitetin që po krijon?

Ushtrim praktik meditues

Vendos dorën mbi kraharor dhe merr pesë frymëmarrje të ngadalta e të vetëdijshme. Pastaj pyet veten: “Çfarë sinjali po më dërgon trupi im tani?” Mos u përpiq ta ndryshosh menjëherë. Fillimisht mëso ta dëgjosh. Vetëdija është hapi i parë drejt rregullimit.

Afirmim

“Unë kultivoj siguri brenda vetes. Kur sistemi im nervor gjen paqe, vetëdija ime krijon një realitet në harmoni me thelbin tim.”

Dëshiron mbështetje të personalizuar?

Nëse e ndien se sistemi yt nervor ka qëndruar për një kohë të gjatë në gjendje alarmi, nuk ke pse ta përballosh këtë rrugëtim vetëm. Në seancat 1:1 punojmë së bashku për të kuptuar modelet e tua të reagimit, për të rritur vetëdijen mbi gjendjen e sistemit nervor dhe për të kultivuar një ndjenjë më të thellë sigurie, qetësie dhe koherence të brendshme.

➡️ Shiko detajet dhe rezervo një seancë 1:1 këtu:

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *