Mentorimi dhe Investimi te Vetja

Kur fillova të investoj te vetja, jeta ime ndryshoi drejtim

Në eksperiencën time shumëvjeçare si kontribuuese në shërbimin psiko-social shkollor dhe si trajnuese në edukim, kam menduar se isha në rolin tim optimal për të qenë e denjë për shoqërinë dhe familjen time. Kisha përkushtuar vite të tëra duke ndihmuar të tjerët, duke dhënë energji, kohë dhe sakrifica, me bindjen se ky ishte misioni im më i lartë. Por ardhja ime në Europë dhe përballja me një kulturë tjetër, ku mirëqenia e individit konsiderohet prioritet dhe jo luks, më bëri të reflektoj thellë. Vura re se kur njeriu është në harmoni me veten, kjo mirëqenie rrezaton natyrshëm në familje, komunitet dhe shoqëri. Kjo përvojë më shtyu të kërkoja një filozofi të re për jetën.

Nën mentorimin e një mendimtari të mençur, dita-ditës kuptova sa shumë gjëra duheshin përmirësuar brenda meje. Kisha shkruar gjithë jetën për punën në shtet, por asnjëherë nuk kisha gjetur kohë të shkruaja për veten. Kisha ndihmuar shumë njerëz në sfidat e tyre, por rrallëherë ndaloja të shihja sa shumë nevojë kisha vetë për mbështetje, dashuri dhe zhvillim personal. Atëherë fillova një rrugëtim të ri. Fillova të meditoj. Fillova të studioj ligjet e universit. Fillova të manifestoj atë që më rrit, më frymëzon dhe më bën të lumtur. Dhe sot mund të them me bindje se jam në rrugën e duhur.

Kam krijuar blogun tim spiritual. Kam shkruar dy libra që gjenden në dy platforma: amazon dhe Libra24 . Kam projekte të shumta në zhvillim dhe një vizion shumë më të qartë për jetën time. E gjithë kjo nuk erdhi rastësishtpor falë mentorimit dhe procesit të vetëzhvillimit personal.

Kultura ku jemi rritur na ka mësuar të japim, por jo të marrim

Shumë prej nesh janë edukuar në një kulturë psiko-sociale ku sakrifica konsiderohet virtyti më i madh. Na është mësuar të punojmë fort, të durojmë, të japim pa fund dhe të vendosim nevojat e të tjerëve përpara vetes. Por rrallëherë na është mësuar të pyesim:

“Kush jam unë në të vërtetë?”

“Çfarë më ushqen shpirtërisht?”

“Çfarë më sjell paqe dhe përmbushje?”

Në emër të detyrës, shpesh kemi humbur lidhjen me identitetin tonë autentik. Japim energji pa kufi, kohë, sakrifica dhe vëmendje. Dhe shpesh mbetemi të zbrazur. Jo sepse nuk dimë të duam, por sepse nuk kemi mësuar të duam edhe veten. Energjia është një Torus: Harmonia krijohet përmes ekuilibrit Jap-Marr Në ligjet universale dhe në shumë tradita të lashta, energjia shihet si një rrjedhë e vazhdueshme. Modeli i Torusit përfaqëson pikërisht këtë lëvizje natyrore: energjia del nga qendra dhe rikthehet përsëri në qendër.

Jeta funksionon sipas të njëjtit parim. Kur vetëm japim dhe nuk marrim, sistemi ynë energjetik lodhet. Kur vetëm marrim dhe nuk japim, krijohet stagnim. Harmonia lind kur ekziston një shkëmbim i vetëdijshëm. Prandaj investimi te vetja nuk është egoizëm por përgjegjësi. Është mënyra për të mbajtur të gjallë burimin tonë të brendshëm, në mënyrë që të vazhdojmë të kontribuojmë me dashuri, qartësi dhe fuqi.

Çfarë thotë psikologjia humane?

Psikologu humanist Abraham Maslow argumentonte se njeriu ka nevojë të arrijë vetërealizimin për të jetuar potencialin e tij të plotë.

Carl Jung fliste për procesin e individuimit, ku njeriu duhet të njohë dhe integrojë dimensionet e tij të brendshme për të zbuluar identitetin autentik.

Ndersa Viktor Frankl theksonte se lumturia nuk gjendet duke e kërkuar drejtpërdrejt, por duke zbuluar kuptimin e jetës.

Këto ide lidhen në mënyrë të mrekullueshme me ligjet universale që mësojnë se realiteti ynë i jashtëm është reflektim i gjendjes sonë të brendshme. Kur ndryshojmë vetëdijen, ndryshon edhe realiteti. Kur ndryshojmë frekuencën tonë emocionale, ndryshojnë edhe mundësitë që tërheqim.

Pse një mentor zhvillimi personal mund të ndryshojë jetën tuaj?

Ashtu si sportistët kanë trajnerë dhe artistët kanë mjeshtra, edhe zhvillimi personal përshpejtohet kur kemi një mentor. Një mentor nuk ecën rrugën për ne. Ai na ndihmon të shohim atë që vetë nuk e shohim. Na ndihmon të identifikojmë besimet kufizuese. Na mëson të komunikojmë me veten tonë të lartë. Na orienton drejt potencialit që kemi brenda. Investimi në mentorim është në thelb investim në vetëdije. Dhe vetëdija është pasuria më e madhe që mund të zotërojë një qenie njerëzore.

Një model i ri për brezat e rinj

Ka ardhur koha të krijojmë një kulturë të re. Një kulturë ku vetja e shenjtë nderohet. Ku kujdesi për shëndetin emocional dhe shpirtëror është po aq i rëndësishëm sa kujdesi për familjen dhe punën. Ku fëmijët tanë mësohen të njohin vlerën e tyre që në moshë të vogël. Ku investimi te vetja nuk shihet si luks, por si domosdoshmëri. Sepse një individ i vetëdijshëm krijon familje më të shëndetshme. Familje të shëndetshme krijojnë komunitete më të forta. Dhe komunitetet e forta ndërtojnë një shoqëri më të ndriçuar.

Përfundim

Nëse do të më pyesnin sot cili është investimi më fitimprurës që kam bërë në jetën time, përgjigjja ime do të ishte e thjeshtë:

Investimi te vetja.

Sepse kur fillon të duash, të njohësh dhe të nderosh veten tënde të lartë, universi fillon të të përgjigjet ndryshe. Qetësia rritet. Dashuria thellohet. Begatia rrjedh më natyrshëm, dhe jeta fillon të marrë formën që gjithmonë ka qenë duke pritur të krijosh.

Pyetje për Reflektim

Sa kohë, energji dhe dashuri investoj çdo ditë te vetja ime, krahasuar me atë që investoj për të tjerët? Nëse ndjen të njëjtën energji si unë mos hezito, bëj një seancë me mua si mentorja jote. Rezervo Seance.

Ushtrim Spiritual

Për shtatë ditë rresht, kushtoji vetes 15 minuta në ditë. Shkruaj në një fletore tre gjëra që të ushqejnë shpirtërisht dhe tre veprime konkrete që mund të bësh për t’i sjellë më shumë në jetën tënde.

Afirmim

“Unë nderoj veten time të lartë. Investoj me dashuri në zhvillimin tim dhe krijoj një realitet që pasqyron paqen, dashurinë dhe begatinë që mbaj brenda meje.”

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *