Misteri i Energjisë Femërore

Ka një mister që ekziston përpara çdo krijimi. Përpara se të lindë një fëmijë, një ide, një vepër, një marrëdhënie apo një realitet i ri, ekziston një hapësirë e padukshme ku diçka ende nuk ka marrë formë, por tashmë ka filluar të ekzistojë si mundësi. Kjo hapësirë është një nga shprehjet më të thella të energjisë femërore.

Femërorja është misteri që pranon jetën përpara se ta shfaqë. Është toka që pret farën. Është errësira pjellore përpara agimit. Është heshtja në të cilën një ide fillon të marrë frymë dhe ndoshta këtu qëndron një nga sekretet më të mëdha të ekzistencës: Jeta nuk krijohet vetëm përmes veprimit. Jeta krijohet edhe përmes aftësisë për të mbajtur hapësirë për atë që dëshiron të lindë.

Femërorja është porta e krijimit

Në çdo proces krijues ekziston një moment ku duhet të ndalosh së kontrolluari dhe të fillosh të dëgjosh. Kjo është energjia femërore. Ajo nuk pyet gjithmonë: “Si do ta bëj?” Ajo pyet: “Çfarë po përpiqet të lindë përmes meje?” Ky është një ndryshim i madh. Mendja e kontrollit kërkon të ndërtojë gjithçka sipas planit të saj. Ndërsa vetëdija femërore di të dëgjojë ritmin e jetës, të perceptojë sinjalet e brendshme dhe t’i japë kohë diçkaje që ende nuk është gati të shfaqet. Kjo nuk do të thotë pasivitet. Përkundrazi eshtë një formë shumë e thellë inteligjence sepse jo çdo gjë në jetë mund të detyrohet. Disa gjëra duhet të ushqehen, të priten, të ndihen dhe disa duhet të lejohen të lindin.

Gruaja është më shumë se një rol

Për shekuj me radhë, shoqëritë kanë tentuar ta përkufizojnë gruan përmes roleve: nënë, bashkëshorte, bijë, kujdestare, partnere. Por përpara çdo roli, ekziston një qenie, një vetëdije dhe një burim krijuesi. Prandaj është kaq e rëndësishme që një grua të ketë lirinë për të njohur veten përtej asaj që të tjerët presin prej saj.

Një grua e lirë për të menduar është forcë.

Një grua e lirë për të krijuar është forcë.

Një grua e lirë për të zgjedhur rrugën e saj është forcë.

Jo sepse ajo duhet të bëhet “më e fortë se burri”, por sepse nuk ka më nevojë të zvogëlojë veten për t’u përshtatur me një realitet që nuk e përfaqëson. Sepse kur një grua e njeh vlerën e saj, ajo nuk ka nevojë të luftojë për të qenë e madhe. Ajo thjesht fillon të krijojë dhe krijimi është një nga format më të larta të fuqisë.

Mendja femërore dhe inteligjenca e padukshme

Ka një mënyrë të të menduarit që nuk ecën vetëm në vijë të drejtë. Ajo lidh dhe sheh marrëdhëniet mes gjërave. Ndien atë që nuk thuhet dhe vëren ndryshimin në një energji, në një marrëdhënie, në një situatë. Këtë mund ta quajmë intuitë.

Intuita nuk është domosdoshmërisht një fuqi misterioze. Mund të jetë edhe një formë e hollë e perceptimit, një aftësi për të bashkuar përvojën, emocionin, vëzhgimin dhe vetëdijen në një kuptim më të gjerë. Dhe kur kjo inteligjencë ushqehet me dije, disiplinë dhe vetëbesim, ajo bëhet jashtëzakonisht krijuese.

Gruaja nuk duhet të ketë frikë nga thellësia e mendjes së saj, perkundrazi ajo duhet të mësojë ta dëgjojë atë sepse shumë herë zëri më i rëndësishëm në jetën tonë nuk është ai që bërtet më fort. Është ai që pëshpërit.

Por krijimi kërkon edhe energjinë mashkullore

Këtu fillon pjesa tjetër e misterit. Femërorja mund të mbajë vizionin, por vizioni kërkon formë. Mund të ekzistojë një ide e mrekullueshme, një ndjesi, një ëndërr, një intuitë por nëse ajo nuk shoqërohet me veprim, mund të mbetet vetëm potencial. Këtu hyn energjia mashkullore.  Në kuptimin arketipor, ajo lidhet me drejtimin, strukturën, vendimin, disiplinën dhe veprimin.

Femërorja thotë: “Kjo mund të lindë.”Mashkullorja thotë: “Le t’i japim formë.” Femërorja sjell vizionin. Mashkullorja ndërton strukturën. Femërorja ndien. Mashkullorja drejton. Femerorja hap hapësirën ndersa mashkullorja sjell fokusin. Dhe kur këto dy energji bashkohen në ekuilibër, krijimi bëhet më i plotë.

Bashkimi që e bën jetën të rrjedhë

Mund ta shohim këtë bashkim kudo në natyrë. Ekziston një ritëm i pranimit dhe i shprehjes, i hapjes dhe i drejtimit, i heshtjes dhe i lëvizjes edhe brenda nesh. Njeriu që vetëm vepron, pa dëgjuar, mund të ndërtojë shumë dhe të humbasë kuptimin. Njeriu që vetëm ndien, pa vepruar, mund të ketë shumë vizione dhe të mos i shfaqë kurrë prandaj fuqia nuk qëndron tek njëra anë. Fuqia qëndron tek bashkimi. Kjo është arsyeja pse një marrëdhënie e vetëdijshme mes një gruaje dhe një burri mund të bëhet një hapësirë e jashtëzakonshme krijimi jo sepse njëri është më i rëndësishëm se tjetri por sepse dy mënyra të ndryshme të perceptimit, të shprehjes dhe të veprimit mund të plotësojnë njëra-tjetrën.

Kur gruaja ndihet e lirë të jetë vetvetja dhe burri nuk ndihet i kërcënuar nga liria e saj, ndodh diçka e bukur. Ata nuk konkurrojnë por  bashkëkrijojnë. Bëhen arkitektët e jetës tyre.

Një grua e lirë nuk e humbet feminitetin e saj

Ekziston një keqkuptim se liria e gruas e largon atë nga femërorja. Unë mendoj të kundërtën. Një grua bëhet më pranë vetes kur nuk jeton nga frika. Kur mund të thotë “po” me gjithë zemër. Kur mund të thotë “jo” pa faj. Kur mund të krijojë pa kërkuar leje për të ekzistuar. Kur mund të dashurojë pa humbur veten. Kur mund të jetë e butë pa qenë e pafuqishme. Kur mund të jetë e fortë pa pasur nevojë të bëhet e ashpër.

Femërorja e vërtetë nuk ka nevojë të imitojë askënd. Ajo ka ritmin e vet dhe çdo grua që fillon ta dëgjojë këtë ritëm fillon të rikthehet tek vetja.

Burri që nderon femëroren, nderon vetë jetën

Një burrë i vetëdijshëm nuk e sheh gruan si dikë që duhet kontrolluar. Ai e sheh si një univers që duhet njohur. Ai nuk trembet nga mendja e saj. Nuk trembet nga fuqia e saj. Nuk trembet nga liria e saj.sepse ai e kupton se një grua e lirë nuk ia zvogëlon burrërinë. Përkundrazi, një burrë që mund të qëndrojë pranë një gruaje të fuqishme pa pasur nevojë ta kontrollojë, ka filluar të kuptojë fuqinë e vërtetë. Dhe po kështu, një grua e vetëdijshme nuk ka nevojë ta zvogëlojë burrin për të ndriçuar vetë.

Ajo mund ta lejojë atë të jetë i fortë. Të veprojë dhe të mbrojë. Të ndërtojë dhe  të udhëheqë kur udhëheqja e tij  kërkohet, sepse ajo nuk kërkon të fitojë mbi të, ajo kërkon të bashkekrijojë me të.

Nga bashkimi lind një realitet i ri

Ndoshta ky është kuptimi më i thellë i energjive femërore dhe mashkullore. Ato nuk janë dy kampe. Janë dy gjuhë të krijimit dhe secili prej nesh ka nevojë t’i mësojë të dyja. Të dimë kur të veprojmë dhe kur të presim. Kur të drejtojmë dhe kur të dëgjojmë. Kur të ndërtojmë dhe kur të lejojmë. Kur të përdorim mendjen dhe kur të dëgjojmë zemrën. Sepse jeta nuk është vetëm një vijë drejt një qëllimi. Jeta është një vallëzim dhe në këtë vallëzim, energjia femërore i jep krijimit thellësinë, ndjeshmërinë dhe hapësirën.

Energjia mashkullore i jep drejtimin, strukturën dhe shprehjen kur ato bashkohen me vetëdije, dhe  mund të krijojnë një rrjedhë më të plotë të jetës. Dhe ndoshta ky është një nga mësimet më të bukura që mund të kujtojmë:

Nuk jemi këtu vetëm për të ekzistuar. Jemi këtu për të krijuar.

Të krijojmë marrëdhënie që kanë shpirt. Një familje ku liria dhe dashuria mund të bashkëjetojnë. Të krijojmë ide që i shërbejnë jetës. Të krijojmë një realitet ku gruaja nuk ka nevojë të zvogëlohet dhe burri nuk ka nevojë të ngurtësohet. Një realitet ku femërorja dhe mashkullorja nuk luftojnë për pushtet, por bashkohen për të sjellë diçka më të madhe se vetja sepse kur femërorja është e lirë dhe mashkullorja është e vetëdijshme, jeta gjen një kanal për të rrjedhur. Dhe aty fillon krijimi i vërtetë.

 

Pyetja për reflektim

A e lejon energjinë tënde femërore të krijojë, të ndiejë dhe të shprehet lirshëm, apo ende po përpiqesh ta përshtatësh veten me atë që bota pret prej teje?

Praktikë e vogël

Sonte, ulu në heshtje për disa minuta. Vendos njërën dorë mbi zemër dhe tjetrën mbi bark. Merr frymë ngadalë dhe pyete veten:

“Çfarë dëshiron të lindë përmes meje?”

Mos kërko një përgjigje të menjëhershme. Lëre heshtjen të flasë.

Pastaj pyet:

“Çfarë duhet të bëj unë që kjo energji të marrë formë?”

Në përgjigjen e parë mund të gjesh zërin e intuitës. Në të dytën, drejtimin e veprimit. Dhe aty fillon bashkimi.

Afirmimi

Unë e nderoj energjinë femërore brenda meje.
I jap hapësirë intuitës, krijimtarisë dhe mençurisë sime.
E bashkoj ndjeshmërinë me forcën, vizionin me veprimin dhe zemrën me mendjen.
Unë nuk luftoj me energjitë e jetës — unë i harmonizoj ato dhe krijoj me vetëdije.
Jeta rrjedh përmes meje dhe unë jam një kanal i vetëdijshëm i krijimit.

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *